Studio Ligjore "Peka Law"
Rr. Mine Peza, P 87/3.
+355672034200

PERSONALITETE TE SHQUARA TE JURISPRUDENCES:JOHN STUART MILL

PERSONALITETE TE SHQUARA TE JURISPRUDENCES:JOHN STUART MILL

John Stuart Mill (1806-1873) – ishte John Stuart Mill”, shkruan Schumpeter, “Domethënë, një nga figurat më të fuqishme intelektuale të shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe është aq i njohur për gjithkënd që është i arsimuar, sa duket e tepërt të përpiqesh të shtosh diçka më shumë nga sa mund të lexohet në një duzinë librash të shkruar për të.” (History of Economic Analysis, fq. 527). Në të vërtetë, janë me dhjetëra botime voluminoze të shkruara nga akademikë dhe mendje të fuqishme intelektuale, që nga Lord Ashley, tek Hayek, nga Hutchison tek Hollander, nga Spenser tek Rothbard – sa për të përmendur pak prej tyre – që kanë shqyrtuar veprën e Mill si ekonomist politik, si sociolog dhe filozof. Një burim i rëndësishëm reference për studiuesit është padyshim edhe Vepra Autobiografike (voluminoze prej më shumë se 800 faqesh) e J S Mill, e cila i ishte dorëzuar librarisë së Universitetit të Columbia nga Helen Taylor, thjeshtra e Mill-it.Të flasësh për figurën e John Stuart Mill, duhet më së pari ta nisësh nga edukatori dhe mentori i jetës së tij, mendja po aq gjeniale dhe e fuqishme e James Mill, autori i veprës History of British India, i ati i John-it. James Mill nuk ishte vetëm thjesht një dishepull dhe shok i Jeremy Bentham dhe David Rikardos; ai ishte një mendimtar i thellë dhe filozof origjinal.

Ndikimi i jashtëzakonshëm i të atit në formimin e tij, duket edhe nga mënyra sokratike e shkrimit të Autobiografisë.Shumë fëmijë kanë aftësi të jashtëzakonshme në fusha të caktuara, si në matematikë apo mësime gjuhësh të huaja; John Stuart Mill i kishte të gjitha këto talente, e përveç tyre, kishte aftësi të jashtëzakonshme të rrokte që në moshën fëminore ide abstrakte në ekonomi, filozofi e shkenca.Edukimi i Mill është pothuaj tërësisht i lidhur me të atin, James, shëtitjet në pyll me të cilin ishin ushtrimi intelektual dhe njëherësh klasa e tij e mësimit. Që në moshën tre vjeçare kishte mësuar greqishten. Dhe libri i parë grek që do të lexonte ishin Fabulat e Ezopit. Përpara se deri në moshën tetëvjeçare kur kishte mësuar edhe latinishten, ai kishte lexuar veprat e njohura të filozofit grek Ksenofonit, Anabasis, Cyropadia dhe Memorials of Socrates, jetën e disa prej filozofëve të antikitetit, si Diogjenit dhe Tuqididit; gjashtë dialogjet e Platonit. E vetmja gjë tjetër që kishte mësuar gjatë atyre viteve kishte qenë aritmetika. Detyrat dhe mësimet do t’i bënte në të njëjtën tavolinë pune, ku edhe vetë James shkruante librin e tij, Historia e Indisë Britanike. Por mësimet e vërteta nuk ishin orët e studimit në tavolinë, por shëtitjet e gjata të tyre në pyll dhe leximet e pavarura të veprave që i rekomandonte i ati. I pasionuar pas studimit të historisë, ai kishte patur afeksion për Historinë e Romës dhe Greqisë, libra e historisë së Filipit të Dytë dhe të Tretë të Whatson; ndërsa kur “rashë në kontakt me historinë e luftës për pavarësi të Amerikës, do të rreshtohesha në anën e gabuar, pasi kjo quhej ana e anglezëve”, do të pohonte tek Autobiografia. Diskutimet e tij të gjata filozofike ndërsa shoqëronte të atin në shëtitjet e gjata në pyll, dhe editimi i librit të Jeremy Bentham, Rationale of Judicial Evidence, akoma pa mbushur të njëzetat, janë dëshmi e jashtëzakonshme e një pjekurie të parakohshme.Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, i ati do t’i jepte në duar veprën të Dumont, më të famshme në fushën e legjislacionit, Traktat mbi Legjislacionin, që siç do të shkruante vetë J.S.Mill, “leximi i këtij libri ishte në vetvete një epokë në jetën time; një pikë kthese në historinë time mentale…. Kur hodha mbi tryezë volumin e fundit të Traktatit, isha bërë tjetër njeri.

‘Parimi i Utilitetit’, i kuptuar siç e kuptonte Bentham dhe i aplikuar siç e kishte aplikuar ai në tre volumet e librit, kishin rënë në vendin e duhur, tamam si një nyje lidhëse që mbante të bashkuar komponentët fragmentar dhe të shkëputur të dijeve dhe besimeve të mia. I kishte dhënë unitet konceptimeve të mia mbi gjërat.” Në moshën trembëdhjetë vjeçare kishte kryer një kurs të plotë të Ekonomisë Politike!Në verën e vitit 1820 J.S.Mill do të shkonte në Francë dhe do të qëndronte për një vit e gjysmë në shtëpinë e Jean Baptiste Say, dhe pas kthimit në Londër, në moshën 22-vjeçare, do të futej në India Office, në zyrën ku i ati ishte dhe shefi i zyrës. Edukimin do ta vazhdonte me leximet e eseve dhe diskutimet e debatet që do të zhvilloheshin një herë në dy javë në shtëpinë e Jeremy Bentham, ku ishte krijuar dhe mblidhej që nga viti 1822-23 “Shoqëria e Utilitaristëve”. Ky grup ku futeshin miqtë më të ngushtë të Millit, do të vepronte deri në vitin 1826, dhe aty do diskutonin çështje filozofike dhe do të shkruante artikuj dhe botonte një gazetë me diskutimet e tyre (të cilat nuk janë gjendur).

Në vitet 1826-27 ai do të kalonte një periudhë depresioni, deri në vitet 1840 kur do të përfundonte shkrimin e veprës Logjika. Në Autobiografinë e vet ai i referohet kësaj periudhe si “vitet e tranzicionit”, vite që në fakt shënojnë një pikë kthese në aparatin e tij të mendimit dhe idetë e tij. Në këto vite të vështira, jo shumë të përmendura midis adhuruesve dhe pasueve të tij, ai do të gjente paqe tek poezia e Wordworth dhe Shelly-t (e preferuara e mikes së tij të zemrës, Harriet Taylor), tek dashuria për muzikën dhe dëshirën në rritje për artet, dramën, pikturën dhe arkitekturën.Një influencim i fuqishëm në jetën e tij do të luanin njohjet e reja me rrethin e Unitarianëve W. J. Fox, një orator i madh anglez politik dhe religjioz, dhe njohja me Harriet dhe John Taylor, Thomas Carlyle dhe John Sterling. Nëpërmjet tyre do të futej në lidhje me shoqërinë e Apostujve të Cambridge, një prej shoqërisë më influencuese të Anglisë së asaj kohe, deri në kohën e J.M.Keynesit (ku dhe Keynsi kishte qenë anëtar). Në gjithë ciklin e tij jetësor, Mill kishte rënë në kontakte që nga Filozofët Radikal të viteve 1820, me Romantikët, me Sen Simonistët, Unitaristët dhe Apostujt e Cambridge, me burokratët e rinj dhe Filozofët Radikal të viteve 1830, duke qenë herë në qendër të vëmendjes dhe herë në periferi, por gjithnjë një person prezent në debatet intelektuale të kohës. Do të ishte në fund të jetës së tij që do të izolohej nga këto klube influencuese, pas martesës së tij me Harriet Taylor, pas vdekjes së të shoqit të saj, John Taylor. Nga kjo kohë, ai do të kufizohet në korrespondencat e veta me një rreth të kufizuar miqsh të vjetër si Carlyle dhe August Compte, si dhe do të bëhej një person që do të vazhdonte të influenconte në idetë e një brezi të rinj intelektualësh anglez, përfshi filozofin Spencer.

Në vitet 1858-1868 ai do të ishte anëtar i pavarur i Parlamentit, periudhë që e shfrytëzoi t’i bënte jehonë pikëpamjeve të tij të avancuara liberale, veçanërisht të drejtën e votës për gratë dhe punëtorinë.Nëse Adam Smith ishte babai i Ekonomisë Politike, shkruante Lewis, John Stuart Mill është trashëgimtari i tij. Megjithë kufizimet dhe dobësitë e veprës së tij, nuk ka dyshim se doktrina ekonomike dhe e filozofisë sociale që ai themeloi, ishin shumë më të thella se ajo e pararendësve dhe mbetën dominuese në Angli dhe në komunitetin intelektual botëror.

Tipari ndoshta më i spikatur i personalitetit të tij ishte pranueshmëria e ideve të të tjerëve, armiqësia e tij me dogmatizmin. Erudicioni tij mahnitës është frymëzim për çdo studiues dhe intelektual. Profesor Henry Fawcett, në Esenë e Spencer kushtuar J.S.Mill, shkruan: “Disa vite më parë qëllova të ndodhesha në një bashkëbisedim në Cambridge me tre personalitetet më të shquara të matematikës, klasicizmit dhe psikologjisë. Po diskutonim fjalimin e Z. Mill që kishte mbajtur si rektor i Universitetit St. Andrew. Matematicieni tha se kurrë nuk kishte dëgjuar më parë të shpjegoheshin kaq fuqishëm dhe kaq qartë përfitimet që kishte studimi i matematikës; të njëjtën gjë kishin thënë edhe të dyja eminencat e shkencave të tjera. Nuk besoj se ka homazh më të madh që mund t’i bëhet kujtimit të dikujt, rreth të cilit shumë prej nesh janë kaq shumë të lidhur me aq shumë mirënjohje dhe admirim… “.

Shkrim nga profesori i nderuar Selami Xhepa

Related Posts
Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *

error: Faqja është e mbrojtur!